“I thashë, oj nanë çka u ba me ty”, flet djali i gruas që vdiq tragjikisht nga frika pas sulmit nga qentë endacakë në Podujevë

Sulmi prej qenve endacakë i shkaktoi sulm në zemër një 75-vjeçareje në Obranqë të Podujevës.

E ndjera, nga frika, pësoi sulm në zemër të cilit fatkeqësisht nuk i bëri ballë

Djali i viktimës, Fejza Segashi, thotë se është i tronditur nga kjo tragjedi, duke shpjeguar në detaje se si ndodhi i gjithë rasti.

Në një fushë të fshatit, e ëma ishte duke shkuar për vizitë tek i biri, ajo u sulmua nga disa qenë, të cilët nuk e kafshuan dot, por që i shkaktuan frikë të madhe te viktima.

“Prej këtij vendi ka dalë kojshiu këtu, i ka ndihmu së pari, ia ka trembë qentë. Por nanën e kanë lëshu këmbët prej frikës. Neve na ka thirrë ky kojshiu e na ka bë me dije. Nipi ka vrapu e ka ardhë… kur kam mbërri, nana me tha “djali jem, qentë ma kanë ba”. E kam marrë nanën hopa me nipin, e e kemi çu në Emergjencë”, deklaroi Segashi për Indeksonline.

Ai shtoi se nëna e tij nuk ka pasur probleme shëndetësore më herët, duke thënë se ka shumë qen endacakë në atë zonë.

“Nuk e din njeri. Del në oborr tëndin e nuk je i lirë, se ka shumë qen. I thash “Oj nanë çka u bë me ty?” “Qentë ma banën, me kanë tutë shumë” më tha. Falë Zotit ky kojshiu e ka pa, se ndoshta ka mujtë edhe me çky krejt, me e bë llom”, shtoi ai.

Lexo edhe:  Pas 25 vitesh, gjendet trupi i Ramadan Hoxhës, i zhdukur në luftën e fundit në Kosovë