I riu për plagosjen në Pejë me histori të ‘pasur’ kriminale: Në 23 raste i përfshirë, 10 aktakuza të ngritura ndaj tij

I dyshuari për plagosjen e trefishtë që ndodhi të mërkurën në mbrëmje në qytetin e Pejës, Agron Gashi, ka të kaluar kriminale.

Ndonëse vetëm 21-vjeçar, Gashi e ka të kaluarën të pasur me plot vepra penale. Historisë së tij kriminale tashmë i është shtuar edhe vepra e vrasjes së rëndë në tentativë lidhur me rastin e fundit, për çka sot del para Gjykatës.

Sinjali ka mësuar se i riu nga fshati Ozdrim i Pejës, në Polici i ka 23 raste të hapura për vepra të ndryshme penale, ndërsa emri i tij figuron edhe në Prokurori me 10 aktakuza të ngritura.

Ndaj tij, Prokuroria Themelore në Pejë ka ushtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

Seanca dëgjimore në Gjykatën Themelore në Pejë do të mbahet sot nga ora 17:00.

Për këtë rast në pranga të Policisë ka përfunduar edhe personi që dyshohet se e ndihmoi Gashin. Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se personi që u arrestua për dhënien e ndihmës pas kryerjes së veprës penale është Liridona Gashi.

Të plagosur mbrëmjen e 22 majit mbetën Jeton Berisha dhe dy djemtë e tij, Jetnisi dhe Jetarti.Kush është Agron Gashi?

Agron Gashi, i cili është nga fshati Ozdrim i Pejës, ka të kaluar kriminale, të pasur me plot vepra penale, që dyshohet se i ka kryer në vazhdimësi.

Jo më larg se në dhjetorin e vitit të kaluar, Gashi e kishte goditur me veturën e tij një zyrtar policor që ishte në detyrë.

Menjëherë pas aktit, siç kishte raportuar ekskluzivisht Gazeta Sinjali, Gashi ishte larguar nga vendi i ngjarjes, dhe më pas e kishte braktisur veturën, për t’u arratisur, me qëllim që të shpëtojë nga prangat.

Për rastin ndaj policit, ai dyshohej për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”.

Lexo edhe:  Raportohet se është plagosur një person në Leposaviq

Por, ky dhe rasti i fundit, nuk janë veprat e vetme të tij.

Gashi ka qenë subjekt i hetimit për veprat si “Kanosje”, “Dhunë në familje”, “Armëmbajtje pa leje” e raste të ndryshme të “Lëndimit trupor” – incidente në të cilat është përfshirë në vazhdimësi.