I riu në Pejë përfundon në pranga, dyshohet se ushtroi dhunë ndaj njerkës
Përdorimi i alkoolit po u shkakton telashe të mëdha të rinjve kosovarë, të cilët shpesh humbin kontrollin mbi veprimet e tyre, duke u bërë kështu agresivë e duke krijuar probleme.
Kjo është edhe një ndër shkaktarët kryesorë të dhunës në familje, ku në shumicën e rasteve viktima janë gratë, por edhe anëtarët tjerë të familjes.
Sinjali mëson se një rast i tillë ka ndodhur në një familje në fshatin Vitomiricë të Pejës, ku një person dyshohet se në gjendje të dehur ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së babait të tij, respektivisht njerkës.
Viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë, teksa 31-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim. I njëjti i është nënshtruar edhe testit të alkoolit, ku ka rezultuar në gjendje të dehur.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Dhunë në familje’ dhe i dyshuari është dërguar në mbajtje.