I premtoi martesë 15-vjeçares, kreu marrëdhënie seksuale me të dhe e rrahu – ky është i arrestuari në Malishevë

Gazeta Sinjali raportoi sot për një rast tronditës që ka ndodhur në Malishevë për më shumë se një vit, ku një person i moshës madhore ka krijuar lidhje dashurie me një të mitur, me të cilën dyshohet se kanë kryer marrëdhënie seksuale në vazhdimësi. Përveç dhunimit, ai po dyshohet edhe për dhunë fizike e psikike ndaj vajzës 15-vjeçar.

I dyshuari tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor dhe ndaj tij kanë nisur hetimet me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Armend Thaqin, (24-vjeçar) i cili është shoqëruar në stacion policor lidhur me këtë rast pasi u denoncua nga e mitura gjatë ditës së djeshme.

Çka dihet për rastin?

Sinjali mëson se gjithçka u zbulua pasi viktima, e moshës 15-vjeçare vendosi ta denoncojë të dyshuarin, për sulmin ndaj saj, që dyshohet se ka ndodhur para disa ditësh. Në deklaratën e dhënë në Polici, vajza zbuloi detaje tronditëse, se si ka kryer marrëdhënie seksuale me të dyshuarin që nga mosha 14-vjeçare.

Në bazë të informacioneve të para, i dyshuari që nga fillimi ka qenë në dijeni për moshën e viktimës, por me të njëjtën ka vazhduar lidhjen e dashurisë, duke i premtuar vajzës se do të martohet me të.

Por gjithçka mes tyre ndryshoi, pasi ai dyshohet se nisi të ushtrojë dhunë mbi vajzën. Viktima ka deklaruar para hetuesve policorë se i dyshuari e ka sulmuar fizikisht, rast ky që e shtyu ta njoftojë Policinë për krejt çka ka ndodhur mes tyre.

Si rezultat i denoncimit, hetuesit policorë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme, me ç’rast është intervistuar edhe i dyshuari, i cili ka dhënë dëshminë e tij dhe e ka pranuar se ka ushtruar dhunë fizike ndaj të dashurës së tij të mitur.

Lexo edhe:  Aksident në Vragoli, kolona deri në 7 kilometra

Pas përfundimit të procedurave policore, lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit dhe nisjen e hetimeve ndaj tij në drejtim të veprës penale “Dhunimi” dhe “Sulmi”.

Rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

“Më 05.06.2023 viktima femër  kosovare ka raportuar se gjatë kësaj periudhe në intervale të ndryshme kohore  ka kryer marrëdhënie seksuale me të dyshuarin mashkull  kosovar  i cili i kishte premtuar se do ta marrë për bashkëshorte, por i njëjti kishte ushtuar dhunë fizike dhe psikike ndaj saj. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit,  i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.”

Sinjali do t’iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.