I moshuari ngacmon seksualisht një 11 vjeçare në Prishtinë
Policia e Kosovës ka nisur hetimet për një rast të ngacmimit seksual ndaj një 11-vjeçareje në Prishtinë, që u raportua nga ajo dhe prindi i saj, dje në orët e pasdites.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë dhënë detaje nga denoncimi që është bërë në Polici, ku e mitura ka rrëfyer se si ndodhi rasti në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Prishtinë, i cili sipas saj ka ndodhur në mesditën e djeshme.
Në dëshminë e dhënë para hetuesve policorë, ajo ka deklaruar se derisa ishte duke ecur, është ndaluar në mes të rrugës nga një burrë i panjohur i moshës së shtyrë, nga i cili është ngacmuar seksualisht.
Ky rast ka tronditur prindërit e saj, për çka edhe e raportuan në Polici. Pas denoncimit, Policia është vënë në lëvizje për të mbledhur informacione për ta identifikuar të dyshuarin, të cilin vajza e ka përshkruar me disa fjalë.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit kanë nisur hetimet në drejtim të veprës penale “ngacmim seksual” dhe është urdhëruar sigurimi i prezencës së të dyshuarit.