I mituri në Malishevë “çartet” pse nëna ia prishi gjumin, demolon shtëpinë

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve.

Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.

Një rast i tillë ka ndodhur dje në mëngjes në fshatin Carrallukë të Malishevës, ku një grua ka kërkuar ndihmën e Policisë pas veprimeve të dhunshme nga djali i saj.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 45-vjeçarja e kishte zgjuar të birin nga gjumi për shkak se kishte nevojë për ndihmën e tij rreth punëve të shtëpisë. Por bazuar në dëshminë e saj, i mituri ka reaguar në mënyrë agresive, duke demoluar orenditë shtëpiake.

Sipas saj, i biri edhe më parë ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj, mirëpo nuk e ka denoncuar asnjëherë.

Si rezultat i denoncimit, 17-vjeçari është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tij dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Këshilli Grevist i BSPK: Greva vazhdon derisa Qeveria t’i plotësoj kushtet