I dyshuari për spiunazh krahasonte Kosovën me Kolumbinë, çfarë ka në arkivat e shtypit për Bedri Shabanin

Policia e Kosovës ka arrestuar përgjatë ditës së djeshme Muharrem Qerimin dhe Bedri Shabanin, të dyshuar për spiunazh. Gjegjësisht bashkëpunim me BIA’n serbe. Kjo u realizua pas një operacionit të përbashkët në mes të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës dhe Policisë, shkruan Insajderi

Bëhet fjalë për Bedri Shabanin dhe Muharrem Qerimin.

Sipas informacioneve të Express brenda institucioneve të sigurisë, Shabani e Qerimi dyshohet se përgjatë viteve kishin pasur për detyrë që të kontaminonin luftën e UÇK-së, të përkrahnin propagandën serbe se Masakra e Reçakut ka qenë improvizim e gjithashtu Bedri Shabani kishte provuar që të shpikte një “Shtëpi të Verdhë” diku në një fshat të Reçakut ku kishte qenë një spital ushtarak i UÇK-së.

Kohëve të fundit, Shabani e Qerimi dyshohet se kishin provuar të inskenonin edhe një konflikt ndër-etnik në Kosovë, duke bërë që të binin nën radarin e institucioneve të sigurisë së vendit. Për të dy, Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Por çfarë dihet për Bedri Shabanin, njërin nga të arrestuarit?

Përveç arkivave të mediave vendore, emri i Bedri Shabanit figuron edhe në media të huaja, siç është edhe gazeta gjermane “Spiegel”. Në këtë shkrim të këtij mediumi, ku flitet për Kosovën e pasluftës dhe ngjarjet që i karakterizonin ato vite, Bedri Shabani flet për “shqetësimin e tij” për rritje të shpejt të krimit në Kosovën e atyre viteve.

Madje Shabani, i cili atë kohë ishte larguar nga pozita që mbante në Doganën e Kosovës s’kishte ngurruar që ta krahasonte Kosovën me Kolumbinë.

“Mirësevini në Kolumbi”, kishe qenë shprehja e Shabanit.

“Një tjetër shqetësim është rritja e shpejt e krimit. Bedri Shabani, ish-kreu i doganave për të luftuar kontrabandën, nuk është i vetëm në deklarimin se Kosova tani është qendër e trafikut të drogës. Ai beson se të paktën dy buxhete të Kosovës humben në tregun e zi të cigareve, kafes, vajit dhe benzinës. Pika të reja e ultramoderne të karburanteve po mbijnë në gjithë vendin, ne gjitha rrugët në çdo 100 hapa”, shkruante gazeta “Spiegel” më 18 tetor 2004.

Lexo edhe:  I moshuari nga Drenica rrëfen: Jetojshim me bukë të kollomojt, kurrë sëmundje s’kemi pasë

Në këtë bisedë të tij me gazetën gjermane, Shabani kishte treguar se si i kishte ofruar UNMIK-ut informacione për rrugët e kontrabandës, duke treguar se si pasojë e kishte humbur edhe punën ne Doganë. Pas rikthimit të tij në punë, Spiegel shkruan se Shabani ishte sjellë me fjalë më irrituese, duke krahasuar Kosovën me Kolumbinë.

I kthyer në pozicionin e tij në doganë, ai tani përshëndet mysafirët e tij me fjalët e hidhura “mirë se erdhe në Kolumbi””, shkruhet në tekstin e Spiegel.

Këto fjalë të Shabanit janë përfshirë edhe në librin e Helmut Kramer dhe Vedran Dzihic “Bilanci i Kosovës: a po dështon bashkësia ndërkombëtare?”.