I dyshuari për krime lufte del para Gjykatës Themelore në Prishtinë
Ramadan Morina, i dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile, doli para Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku pritet t’i caktohet masa e paraburgimit.
Arrestimi i tij u njoftua këtë javë nga Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës.
Morina dyshohet se gjatë periudhës 29-31 mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në masakrën e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim, Komuna e Malishevës. Ai po jetonte në Serbi dhe ishte me profesion taksist.
“Gjatë hetimeve janë siguruar prova materiale, përfshirë dëshmi të dëshmitarëve okularë dhe të mbijetuarve”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.