I dyshuari për dhunimin e të miturës në Prizren ndalohet për 48 orë – viktima ishte raportuar si e zhdukur

Një rast i rëndë i dhunimit ndaj një të miture është konfirmuar në Prizren, ku pas hetimeve intensive, autoritetet kanë ndaluar një të dyshuar që kishte strehuar vajzën në një shtëpi private.

Gazeta Sinjali mëson se Mensur Islamaj, 25 vjeçar, shtetas i Republikës së Shqipërisë, është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pas dyshimeve të bazuara se ka kryer marrëdhënie seksuale me një të mitur të lindur në vitin 2011.

E mitura ishte raportuar si e zhdukur më 28 prill 2025, rreth orës 00:20, nga familjarët e saj, ndërsa më 1 maj 2025, pas veprimeve të njësisë hetimore, është lokalizuar në një shtëpi në rrugën “Mehmet Topalli” në Prizren, ku ishte në shoqërinë e të dyshuarit.

Gjatë intervistimit me viktimën, ajo ka deklaruar se ka qëndruar me një person madhor, dhe se me të ka pasur marrëdhënie seksuale, të cilat përbëjnë vepër penale të dhunimit, sipas moshës së saj.

Shtëpia ku qëndronte e mitura është kontrolluar me urdhër verbal të gjyqtarit të procedurës paraprake, ku janë gjetur dhe sekuestruar prova të cilat mund të ndërlidhen me veprën penale.

Viktimës i është ofruar trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit, dhe me urdhër të prokurorit do të dërgohet për ekzaminim gjinekologjik në IML – Prishtinë. Pas përfundimit të procedurave policore, ajo është dorëzuar prindërve të saj.

Hetimet po vazhdojnë nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren, ndërsa rasti ka ngjallur reagime për shkak të natyrës së rëndë dhe ndjeshmërisë së tij.

Lexo edhe:  Mërgimtari ia lenë shtëpinë për t’u kujdesur, vëllau ia dëmton