I dyshuari për aksidentin tragjik në Podujevë është i mitur, dërgohet në paraburgim

Para dy ditësh humbi jetën 30-vjeçari Adnan Halimi, si pasojë e një aksidenti tragjik që ndodhi në rrugën Podujevë – Merdar, në fshatin Shtedim. I riu u varros, teksa familja e tij ia fali gjakun familjes Musa prej nga vjen i dyshuari për aksidentin.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për një 16-vjeçar, i cili dyshohet se shkaktoi këtë aksident ku u përfshinë tri vetura dhe biçiklisti tashmë i ndjerë, Adnani.

Për pasojë, i dyshuari përfundoi në prangat e Policisë, ndërsa tashmë është dërguar në paraburgim, masë kjo që u caktua nga Gjykata, me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Aksidenti tragjik ndodhi mbrëmjen e 26 tetorit, ku në vendin e ngjarjes u konstatua edhe vdekja e viktimës nga ekipi mjekësor, i cili u varros një ditë më pas.

Kujtojmë se historia e familjes Halimi është mjaft e dhimbshme, pasi edhe para 8 vitesh humbën djalin tjetër.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Kurti: Serbia po kërkon ta vazhdojë luftën të cilën e humbi