I dyshuari lajmëron rrejshëm se tre persona e rrahën e ia grabitën 3 mijë e 500 euro, por Policia zbulon diçka të pazakonshme

FOTO ilustrim
Policia e Kosovës (PK) njofton se një person ka raportuar rrejshëm se është rrahur nga tre të tjerë dhe i janë grabitur 3 mijë e 500 euro.

Por, më pas thuhet se i dyshuari e ka pranuar se rastin e kishte deklaruar rrejshëm me qëllim që të shtynte kthimin e një borxhi të cilin ai e kishte.

Lajmi u bë i ditur përmes raportit 24 orësh të Policisë, ku thuhet se rasti ka ndodhur të shtunën në Gjyrkovc të Shtimes dhe është iniciuar si lajmërim apo kallëzim i rremë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Një mashkull kosovar, ka raportuar rrejshëm se kinse derisa ishte duke ecur, nga një veturë kanë zbrit tre persona të panjohur dhe pasi e kanë sulmuar fizikisht, i kanë grabitur 3500 €. I dyshuari ka pranuar se rastin e kishte deklaruar rrejshëm me qëllim që të shtynte kthimin e një borgji të cilin ai e kishte”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Lexo edhe:  Raketat godasin një shkollë në Gaza ku ishin strehuar mbi 225 persona