“I dridhej zëri, kërkonte ndihmë – thoshte se po qajnë fëmijët”, Gashi tregon detaje për komunikimin me Osmanin për incidentin në Aeroportin e Shkupit

“Më thirri presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i dridhej zëri, kërkonte ndihmë. Ajo më tha se kishte probleme në aeroportin e Shkupit dhe se ishte ndarë nga fëmijët që ishin gjithashtu në aeroport”.

Kështu ka thënë këtë martë kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, pasi është pyetur nga gazetarët për incidentin e presidencës së Kosovës, Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit në fillim të këtij muaji.

“Më tha se fëmijët ishin shumë të frikësuar dhe po qanin. Më duhej të ndihmoja. Nuk e di se cili person nuk do të ndihmonte nëse dikush lutet për ndihmë”, ka treguar Gashi.

Ndërsa më 1 gusht, Bekim Kupina, këshilltar i Osmanit, pati theksuar se në aeroportin e Shkupit, presidentes sigurimi ka tentuar që t’ia marrë telefonin personal, por pati theksuar se Osmani ka refuzuar, teksa ka hasur në rezistencë nga pala maqedonase.

“Në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar ta marrë telefonin personal të Presidentes. Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë”, thuhej në reagim.

Ai kishte potencuar se përkundër shpjegimit të rregullave qe ekipi i presidentes ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, “sigurimi ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën”.

“Kjo sjellje e zyrtarit maqedonas të aeroportit është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike. Në kundërshtim me këto rregulla, pala maqedonase ka marrë çantën personale të dorës së presidentes”.

Lexo edhe:  Hetimet e para: Ky dyshohet të jetë motivi i plagosjes së dy grave në Fushë Kosovë

“Sjellja arrogante dhe e dhunshme e zyrtarit të Aeroportit të Shkupit është e paprecedente dhe nuk ka ndodhur asnjëherë në asnjë udhëtim të presidentes kudo në botë, përfshirë në shtete jonjohëse”.

Kupina ka shtuar se është vërejtur qartë se në rastin në fjalë kishte tendencë për ta provokuar delegacionin e Kosovës dhe për të shkaktuar incident, derisa Osmani e kishte njoftuar kryetarin e Kuvendit Afrim Gashi, për t’i kërkuar ndihmë.

Por, Aeroporti i Shkupit nëpërmjet një komunikate për media kishte njoftuar se punonjësit sipas rregulloreve ndërkombëtare kanë për obligim ligjor që të kryejnë kontroll sigurie ndaj të gjithë pasagjerëve, bagazheve dhe mallrave në fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit.

“Prandaj, Departamenti i Sigurisë i TAV Maqedoni, në kuadër të kompetencave të veta, ka bërë kontroll standard të sigurisë së pasagjerit të përmendur si dhe bagazhit të tij, në pikën e kontrollit të sigurisë në sallonin VIP”, thuhej në reagim.

Sipas Aeroportit të Shkupit me këtë incident siguria e aviacionit nuk është kërcënuar, meqë ngjarja ka ndodhur në hapësirën publike të aeroportit. /Albanianpost.com/