I dërgonte mesazhe ngacmuese vajzës së mitur në rrjete sociale, arrestohet 33 vjeçari në Shtime

Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve dhe dhunës ndaj grave dhe vajzave ka marrë përmasa shqetësuese në Kosovë. Në vazhdimësi kemi raportuar për raste të tilla, ku viktima shpesh herë janë edhe vajzat e mitura.

Viktimë e ngacmimit nga një person i rritur ka qenë së fundi edhe një vajzë e mitur në komunën e Shtimes e cila tash e një kohë është ngacmuar vazhdimisht përmes rrjeteve sociale.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se 33-vjeçari vazhdimisht i dërgonte vajzës së mitur mesazhe shqetësuese në rrjete sociale, ku ndër të tjera kërcënonte edhe familjen e saj.

Po ashtu i dyshuari i kishte dalë përpara në rrugë viktimës, duke e frikësuar dhe duke i shkaktuar dëme të mëdha emocionale.

Përballë kësaj situate, vajza bashkë me familjarët kanë denoncuar rastin në Polici, me ç’rast i dyshuari është arritur që të arrestohet.

33-vjeçari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ndaj tij është iniciuar rasti ‘Ngacmim’.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Lexo edhe:  Familjarët e gjejnë pa shenja jete një person në Suharekë