I dehur në timon, 46-vjeçari pengon policinë në Gjakovë – përfundon në pranga
Një incident ka ndodhur mbrëmë në Gjakovë, ku një shofer i dehur jo vetëm që theu rregullat e qarkullimit, por edhe pengoi zyrtarët policorë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Rasti ka ndodhur më 1 shtator 2025, rreth orës 21:00, në rrugën “Gasper Karaqi”, ku njësia e trafikut ndaloi veturën me targa të shqipërisë për shkak të tejkalimit të shpejtësisë.
Gjatë kontrollit, shoferi E. C. kundërmonte erë të fortë alkooli dhe refuzoi t’i nënshtrohej alkool-testit. Kur u thirr makina tërheqëse për sekuestrimin e automjetit, ai u fut mes veturës së tij dhe kamionit, duke mos respektuar urdhrat e qarta të policëve.
Pas shoqërimit në SP Gjakovë, C. iu nënshtrua testimit të alkoolit, ku rezultoi me 2.49 promil.
Me urdhër të Prokurorit Kujdestar, ndaj tij është iniciuar rasti “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.