I dehur me 3.38 promil, burri keqtrajton bashkëshorten në Gjakovë – arrestohet dhe ndalohet për 48 orë

Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen ngjarje të tilla ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike kryesisht nga bashkëshortët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është raportuar të martën mbrëma në Gjakovë, ku një burrë në gjendje të rëndë të dehur dyshohet se ka keqtrajtuar vazhdimisht bashkëshorten e tij me fjalë ofenduese dhe sjellje kërcënuese.

Ngjarja ka ndodhur më 29 korrik 2025 rreth orës 20:20, në rrugën “Dëshmorët e Lirisë”, ku viktima A.P., rreth 52-vjeçar ka bërë denoncim penal ndaj bashkëshortit të saj S.P., rreth 52-vjeçar.

Sipas viktimës, keqtrajtimi ka qenë i përsëritur dhe i shoqëruar me ofendime, posaçërisht kur i dyshuari ka qenë nën ndikim të alkoolit.

Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes dhe ka arrestuar S.P., i cili pas testimit ka rezultuar me 3.38 promil alkool në gjak, çka konfirmon një gjendje të rëndë dehjeje.

Viktima ka refuzuar ndihmën mjekësore dhe strehimin emergjent, duke zgjedhur të kthehet në shtëpinë e saj me vullnetin personal.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa rasti është iniciuar si “Dhuna në familje” dhe është nën hetime.

Lexo edhe:  Megjithatë në këtë shkollë fillon mësimi nesër, ky është njoftimi i fundit