I dehur i bën për spital gruan dhe vajzën, 55-vjeçari nga Prishtina përfundon prapa grilave
Foto ilustruese
Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se një ngjarje e tillë ka ndodhur mbrëmë në një familje në Prishtinë, ku një person dyshohet se nën ndikimin e alkoolit ka sulmuar bashkëshorten dhe vajzën e tij.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se ky nuk është rasti i vetëm që ka ndodhur, pasi i dyshuari edhe më parë ka ushtruar dhunë ndaj tyre.
Viktimat kanë marrë ndihmë mjekësore si pasojë e lëndimeve të marra nga dhuna, ndërkohë që i dyshuari është arrestuar nga Policia.
55-vjeçari i është nënshtruar testit për alkool në stacion policor, ku ka rezultuar në gjendje të dehur dhe si rrjedhojë, intervistimi i tij ka qenë i pamundur.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet se ka kryer veprën penale ‘Dhunë në familje’.