I arrestuari për therjen e 16-vjeçarit në Ferizaj pranon veprën, rasti ricilësohet vrasje në tentativë

Një rast i rëndë tronditi qytetin e Ferizajt më 27 prill 2025, ku një i mitur përfundoi në spital me plagë të rënda pas një sulmi me thikë.

Sipas burimeve të sigurta, viktima, F.V., i lindur në vitin 2009, ishte duke pranuar trajtim mjekësor në emergjencën e Ferizajt pasi kishte pësuar plagë shpuese në kraharor nga një mjet i mprehtë. Për shkak të gjendjes së rënduar, ai nuk kishte mundur të jepte asnjë deklaratë lidhur me sulmin.

Pas veprimeve intensive hetimore dhe rrugëve operative, Policia arriti ta identifikojë dhe ta arrestojë të dyshuarin M.D., gjithashtu i lindur më 2009. I mituri u intervistua në prani të prindit dhe avokatit të tij mbrojtës, ku sipas burimeve, ka pranuar kryerjen e veprës.

Fillimisht rasti ishte iniciuar si “Lëndim i rëndë trupor”, por pas zhvillimeve të reja dhe konsultimit me prokurorin kujdestar, rasti është ricilësuar në veprën penale “Vrasje në Tentativë”. I dyshuari është dërguar në ndalim për 24 orë.

Ndërkohë, viktima, pas trajtimit fillestar në Ferizaj, është transferuar në QKUK në Prishtinë, ku iu është nënshtruar një operacioni në mushkëri, pasi thika kishte prekur një pjesë të saj. Sipas informacioneve nga familjarët dhe mjekët, gjendja e tij aktualisht është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

Lexo edhe:  Qentë endacakë kafshojnë një turiste në Prishtinë, dërgohet në QKUK