Hysni Gucati shihet në Kosovë, arsyeja është një çështje familjare
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati, po qëndron në Kosovë. Ai është liruar për një ditë nga Dhomat e Specializuara të Hagës.
Gucati është liruar pasi nëna e tij është në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe po trajtohet në spital.
Gazeta Nacionale ka siguruar disa fotografi të Gucatit përderisa po largohej nga spitali, ku e vizitoi nënën e tij.
Ai më pas është dërguar në zyret e EULEX-it në Kosovë, ku sonte më vonë do të kthehet sërish në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.
Hysni Gucati ka qëndruar në Kosovë edhe më herët, pas vdekjes së babait të tij javë më parë.
Hysni Gucati e Nasim Haradinaj janë të dënuar nga Gjykata Speciale me nga 4 vjet e gjysmë burgim. Rasti aktualisht është në Gjykatën e Apelit.
Hysni Gucati në pritje të operacionit
Operacionin e 28 Hysni Gucati kishte planifikuar ta kryente në vitin 2020. Megjithatë, kjo iu pamundësua pasi u arrestua nga Gjykata Speciale. Kur janë bërë gati 2 vjet që po mbahet në Hagë, e sidomos pas dënimit me 4 vjet e gjysmë, Gucati është në pritje ta realizojë operimin në këmbë, si pasojë e plagëve që kishte marrë që nga koha e luftës.
Në njërën prej seancave ku Gucati foli si dëshmitar në gjykimin ndaj tij dhe Nasim Haradinajt, ai rrëfeu për plagët që i kishte marrë në kohën e luftës. I kishte kryer 27 operimi, përderisa po e priste edhe të 28-in.
Gjykata Speciale në një përgjigje për gazetën Nacionale nuk ka pranuar të japë shumë detaje në lidhje me pyetjet konkrete të gazetës, nëse Gucatit do t’i mundësohet operimi.
“Për arsye të privatësisë, ne nuk mund të ofrojmë informacion në lidhje me kujdesin shëndetësor që marrin të paraburgosurit individualë. Megjithatë, të paraburgosurit marrin të paktën të njëjtat standarde të kujdesit shëndetësor siç janë të disponueshme në Holandë”, thuhet fillimisht në përgjigje.
“Të gjithë të paraburgosurit marrin vizita të rregullta nga zyrtari mjekësor në ambientet e paraburgimit dhe mund të kërkojnë kujdes mjekësor në çdo kohë. Oficeri mjekësor do të referojë gjithashtu një të paraburgosur për kujdes dhe/ose trajtim të specializuar, aty ku kërkohet”, theksohet më tutje.
Se e kishte planifikuar ta realizojë operacionin, e kishte thënë edhe vetë Hysni Gucati, në njërën prej seancave në gjykimin ndaj tij dhe Nasim Haradinaj.
“Unë jam i plagosur në këmbë, pjesën e femurit siç e thotë mjekësia. Kam pasur 27 operacione, dhe kam pasur të operohem sërish, por fatkeqësisht erdha këtu në Hagë”, kishte thënë Gucati.
Rasti në Gjykatën e Apelit
Me nga 4 vjet e gjysmë Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, u dënuan nga Gjykata Speciale në lidhje me akuzat për ndikim në procedurë, zbulim të dokumentacioneve e frikësim të dëshmitarëve. Megjithatë, avokatët e Gucatit dhe Haradinajt i janë drejtuar me ankesa Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuara. Gazeta Nacionale i ka parë këto ankesa dhe sjell detaje.
Në tri pika kryesore e ka mbështetur ankesën e tij në Gjykatën e Apelit të Speciales, avokati i Nasim Haradinajt, Toby Cadman. Ai ka vlerësuar se në dënimin prej 4 vjetësh e gjysmë për klientin e tij, trupi gjykues pati gabime ligjore që kanë zhvleftësuar faktet, gabime ligjore në procedurë dhe gabime faktike të rëndësishme sipas tij, për shpalljen e dënimit.
Në ankesën gati 20 faqe që ai e ka drejtuar në Gjykatën e Apelit, Cadman flet për gjykim që nuk ishte i pavarur dhe komplet i përcaktuar nga kërkesat e Prokurorisë së Specializuar.
Ankesë në Gjykatën e Apelit të Speciales ka dorëzuar edhe avokati i Hysni Gucatit, Jonathan Rees. Qysh në nisje të parashtrimit të tij, Rees thotë se ka evidentuar shkelje të shumta në aktgjykimin e shkallës së parë. Rees ka kërkuar që për të gjitha pikat e dënimit, Gucati të shpallet i pafajshëm, ose Apeli ta ndryshojë vendimin me dënim shumë më të ulët se 4 vjet e gjysmë.
“Trupi gjykues ka konstatuar gabimisht dhe nuk kishte marrë asnjë provë për të shënuar trajtimin e panevojshëm si konfidencial informacionet që kanë lidhje me këto procese që përbën barrë të provës, në rrethana kur përmbajtja e dokumenteve nuk u ekspozua e as nuk u zbulua poltësisht. Nuk u mor parasysh as dëshmitarja e cila kishte shënuar panevojshëm si konfidenciale këto dokumente”, thuhet në ankesën e avokatit të Gucatit.