Hysni Gucati nesër i nënshtrohet operacionit

Ish-kryetari i OVL UÇK-së Hysni Gucati, do t’i nënshtrohet nesër një operacioni.

Lajmi u bë i ditur nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.

“Hysni Gucati, i dënuar me 4 vjet e gjysmë burg nga Gjykata Speciale në Hagë kishte probleme të theksuara shëndetësore edhe para arrestimit ndërsa gjatë qëndrimit në paraburgim i ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore dhe për këtë KMDLNj ka reaguar publikisht sikur që e ka përfshirë këtë edhe në raportin për monitorim. Gjykata Speciale, shkaku se operacioni ka qenë i kushtueshëm ka qenë hezituese duke pritur rezultatin e gjykimit. Pasi Hysni Gucati u dënua thuaja me dënim që kishte kërkuar Prokurori i Specializuar dhe pasi i ishin refuzuar të gjitha kërkesat për lirim nga paraburgimi në mënyrë që të trajtohet jashtë Burgut të Hagës, para një kohe ishte marrë vendim të operohet, pa e caktuar kohën e saktë” – thuhet në njoftime.

Tutje KMDLNJ thekson se është i shqetësuar që të drejtat e të paraburgosurve, shtetas të Kosovës, të gjithë shqiptarë nuk monitorohen në mënyrë efektive prandaj edhe është shtyrë operacioni.

“Të paraburgosurve në Gjykatën Speciale nuk ka kush t’ua mbrojë të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria kurse institucionet e Kosovës, as nuk kanë ndonjë mundësi e as nuk kanë interesim. Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta diskutojnë, si në komisionet parlamentare ashtu edhe si pikë e rendit të ditës të drejtat e të paraburgosurve, shtetas të Kosovës, nga aspekti i të drejtave të njeriut duke kërkuar transparencë më të madhe nga kjo Gjykatë” – theksohet në njoftimin e KMDLNJ-së.

Lexo edhe:  Ngjarje e rëndë: Gjendet pa shenja jete dhe me rroba të djegura një burrë në Viti