Hoxhaj kërkon që PDK-ja të shtyjë konventën për zgjedhjen e kryetarit: Kjo nguti nuk garanton garë cilësore

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj ka kërkuar që Konventa e kësaj partie për zgjedhjen e kryetarit të shtyhet deri në dielën e ardhshme.

Sipas tij, kjo do t’i jepte mundësi anëtarësisë dhe delegatëve të njihen më mirë me kandidaturat dhe platformat për zhvillimin e partisë dhe për çështje serioze që prekin vendin.

“Konventa e PDK-së për të zgjedhur kryetarin e partisë duhet të shtyhet, sepse një parti serioze nuk mund të mbajë një konventë politike dhe përmbajtësore në një kohë kaq të shkurtër. Kërkoj nga Kryesia e PDK-së shtyrjen e Konventës për të paktën deri të dielën e ardhshme, sepse kështu do u jepej mundësia anëtarësisë dhe delegatëve të njihen me kandidaturat dhe platformat për zhvillimin e partisë dhe për çështje serioze që prekin vendin. Kjo do ta rriste cilësinë e kandidaturave dhe konkurrencën ndërmjet platformave, pasi zhvillimet e fundit kanë qenë të befasishme”, ka shkruar ai.

Hoxhaj thekson se ngutia e PDK-së për të zgjedhur kryetarin e ri nuk garanton një garë cilësore, as reformimin dhe unitetin e domosdoshëm për partinë.

Hoxhaj shtoi se për një vendimmarrje kaq të rëndësishme, procesi zgjedhor duhet të shtyhet në mënyrë që gara të hapet për të gjithë dhe baza të ketë kohën e duhur për të shprehur vullnetin pa presion.

Lexo edhe:  Zhduket një 13-vjeçare në Suharekë