“Historike” – Bulliqi zbarkon në Veri: Me Hetemin shkojnë te liqeni Ujmanit
Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi u prit në veri të Kosovës, nga kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi.
Bulliqi, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se së bashku me Hetemin vizituan dy pikat kufitare në Jarinje e Bërnjak për t’i përgëzuar policët për punën, guximin dhe përkushtimin e tyre.
“Me bashkëpunëtorë sot ishim në veri të vendit, ku u pritëm nga miku im e Kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi. Me këtë rast vizituam edhe dy pikat kufitare në Jarinje e Bërnjak për t’i përgëzuar policët tanë për punën, guximin dhe përkushtimin e tyre në punë”, ka shkruar Bulliqi.
Bulliqi u shpreh i lumtur për mundësitë e krijuara që qytetarët e Kosovës lirshëm mund të shëtisin në këto hapësira të vendit.
“Gjatë kësaj vizite ishim edhe te Liqeni i Ujmanit dhe në fshatin Banjskë, aty ku ndodhi edhe sulmi terrorist mbi Policinë e Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar. Ndjehem vërtetë i lumtur që tash janë krijuar mundësitë që qytetarët e Kosovës lirshëm mund të shëtisin në këto hapësira të vendit tonë, kjo falë angazhimit dhe punës së madhe të Qeverisë së Kosovës dhe organeve të rendit”, ka shkruar Bulliqi.