Hill: Serbët të kthehen në institucione, Kosova ta formojë Asociacionin

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka deklaruar se largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës, nuk është zgjidhje për mosmarrëveshjet aktuale, derisa shtoi se ka mundësi që tensionet të rriten.

Hill ka potencuar se SHBA-ja i bashkohet BE-së duke i bërë thirrje përfaqësuesve të Serbisë që t’u kthehen detyrave të tyre në institucionet e Kosovës, raporton N1, transmeton Klankosova.tv.

“Tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mosmarrëveshjet aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren. Prandaj, Shtetet e Bashkuara i bashkohen BE-së duke u bërë thirrje përfaqësuesve të Serbisë dhe serbëve të Kosovës që të respektojnë angazhimet e tyre nga dialogu dhe t’i kthehen detyrave të tyre në institucionet e Kosovës, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale”, tha Hill për N1.

Ai tha se SHBA-të i bashkohen BE-së duke u bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të respektojnë angazhimet e tyre në dialog.

“Kjo nënkupton edhe fillimin e menjëhershëm të negociatave për themelimin e Asociacionit të Komunave  me shumicë Serbe, që është obligim ligjor i detyrueshëm për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm i Kosovës për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës”, tha Hill.

Ai u bëri thirrje të dyja palëve që “të zgjedhin rrugën e dialogut dhe të përmbahen nga veprimet që do të çonin në dhunë dhe konfrontim”.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet e BE-së për të vazhduar ndërmjetësimin e negociatave. Të dyja palët duhet të tregojnë se janë të gatshme të kërkojnë zgjidhje në mënyrë konstruktive dhe të respektojnë angazhimet e marra në dialogun e ndërmjetësuar nga BE”, tha Hill.

Lexo edhe:  Grabitje e armatosur në Fushë Kosovë