Hidhet granatë dore në parkingun e ‘XClub’ në Lipjan, dy persona arrestohen

Për motive akoma të panjohura, mëngjesin e djeshëm është hedhur një mjet shpërthyes në parkingun e diskotekës “XClub” në Lipjan. Disa vetura u dëmtuan, teksa dy persona u arrestuan si të dyshuar për përfshirje në këtë incident.

Siç merr vesh Sinjali, bëhet fjalë për një granatë dore që u hodh në orët e para të mëngjesit – gjatë kohës kur diskoteka ende ishte e hapur.

Në bazë të informacioneve të para, pesë vetura janë gjetur me dëme në parking, ndërsa fatmirësisht të lënduar nuk ka pasur.

Policia ka kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes, ndërsa si rezultat i ndërmarrjes së veprimeve hetimore janë arrestuar dy persona.

Të njëjtat burime thonë se të prangosurit dyshohen për shkaktim të rrezikut për përgjithshëm.

Lidhur me rastin, janë kryer edhe bastisje, ku si rezultat janë gjetur armë e municion në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve.

Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit për zbardhjen e motivit dhe rrethanave të tjera.

Lexo edhe:  Policia publikon fotografitë e disa të dyshuarve për vjedhje të rëndë