Hekuran Murati nuk i beson QKUK-së – dërgon babain e tij për shërim në Maqedoninë e Veriut
Edhe pse Qeveria e Kosovës në vazhdimësi promovon investimet në sektorin e shëndetësisë si një prej sukseseve kyçe të mandatit të saj, veprimet e ish-ministrit të Financave, Hekuran Murati, hedhin dyshime mbi besimin real që zyrtarët e lartë të shtetit kanë ndaj institucioneve publike shëndetësore të vendit.
Burime të sigurta bëjnë të ditur se Murati ka bërë transferimin e babait të tij, Muhamet Murati, nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) në një spital privat në Maqedoninë e Veriut. Lajmin e ka konfirmuar edhe drejtori i repartit të Kardiokirurgjisë në QKUK, dr. Shpejtim Shurdhiqi, i cili pa dhënë detaje të diagnozës specifike, pohoi se trajtimi i nevojshëm nuk mund të ofrohej brenda kapaciteteve aktuale të QKUK-së.
Megjithatë, sipas një burimi të brendshëm të klinikës, pacienti dyshohet të jetë diagnostikuar me një diagnozë që, të paktën në letër, realizohet edhe brenda QKUK-së apo në institucione të avancuara private në Kosovë.
Vendimi për të kërkuar trajtim jashtë vendit i një zyrtari të rangut të lartë, që për katër vite ka drejtuar financat e shtetit, ngre pikëpyetje të thella mbi gjendjen reale të sistemit publik shëndetësor dhe mbi sinqeritetin e qeverisë në prezantimin e sukseseve në këtë fushë.
Sipas Dr. Shurdhiqit, të gjitha shpenzimet për këtë trajtim pritet të mbulohen nga Ministria e Shëndetësisë, përmes Fondit të Sigurimeve Shëndetësore – konkretisht përmes programit për mbulim të trajtimeve jashtë institucioneve publike.
Kjo praktikë shpeshherë është kritikuar nga shoqëria civile si jo e barabartë, pasi për qytetarët e zakonshëm, qasja në këtë fond është e ngadaltë dhe me kritere të rrepta. Dukagjini ka tentuar në disa raste të kontaktojë ish-ministrin Hekuran Murati për të marrë një koment zyrtar mbi rastin, por deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, ai nuk ka kthyer asnjë përgjigje.