Haziri godet ashpër Kurtin: E then kurrizin para varrit të Rugovës por po ju pengon edhe për së vdekuri
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, Lutfi Haziri ka goditur ashpër Kryeministrin Albin Kurti e partinë Vetëvendosje, në Akademinë përkujtimore për figurën e Presidentit Rugova.
Shkas për këtë goditje u bë anulimi i Akademisë për Rugovën, në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit” e që ishte mbajtur çdo vit po në këtë datë.
Haziri ka akuzuar Vetëvendosjen në Gjilan, se me urdhër nga Prishtina, e ndalën Akademinë për Rugovën, sepse sipas Hazirit, Rugova po ju pengon edhe për së vdekuri.
“Tash jemi në opozitë në Gjilan edhe në nivel qendror. Saherë që jemi dalë prej zyres, punën e parë që kanë mujt me ba kta, e kanë largu Akademinë e Ibrahim Rugovës nga manifestimi Flaka e Janarit.
Shtyllat e Flakës së Janarit nuk duhet të preken asnjëherë.
Sahere që ne kemi ndryshu pak, kta punën e parë që e bojnë është me e goditë figurën e Ibrahim Rugovës.
Edhe për së vdekuri po ju pengon.
Edhe vitin e kaluar tentuan ta ndryshojnë, por arritëm me e prandalu. Këtë vit e bënë, me porosi.
Përderisa shkojnë jargiten, e thejnë kurrizin para varrit të tij në Prishtinë, në Gjilan ia ndalin aktivitetin.- ka thënë Haziri.
Tutje Haziri ka thënë se pavarësisht ndaljes së këtij aktiviteti, partia e Presidentit Rugova, familja e tij, e rugovistët nuk do ta lënë asnjëherë vet duke shtuar se sa ishin ata në pushtet i nderonin të gjitha figurat, ndërsa sipas tij, këta po i dallojnë edhe figurat historike.
“Por e mira e madhe në këtë demokraci e në këtë liri të Kosovës është se familja e tij, besimtarët e tij, rugovistat e tij, nuk e lanë kurrë vet dhe kanë me qendru gjithmonë. Edhe të familjes së tij edhe të partisë së tij, kanë me qëndru gjithmonë bashkë.
Gjilani ka mbet pa kryetar. Gjilani udhëheqet nga grupet joformale. Sepse po të kishim kryetar kjo akademi do të mbahej në Flaken e Janarit.
Ne datat nuk mundemi me i ndryshu, sepse Skenderbeu ka vdekë në Janar dhe Ibrahim Rugova ka vdekë në Janar edhe Rexhep Mala dhe shumë të tjerë.
Ne i kemi nderu të gjith. Këta neve po na dallojnë.”- ka deklaruar i pari i LDK-së në Gjilan.