Haradinaj: Është koha e fundit që Kurti t’i lexojë drejtë porositë e miqve të Kosovës
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se është koha e fundit që kryeministri Albin Kurti të largohet nga temat tensionuese dhe destruktive. Ai ka deklaruar se shefi i ekzekutivit duhet t’i lexojë drejtë porositë e miqve të palëkundur të Kosovës.
Haradinaj ka reaguar pas raportimit që emisari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka bërë para Kongresit Amerikan.
“Është koha e fundit që Kurti t’i lexojë drejtë porositë e miqve të palëkundur të Republikës së Kosovës, të Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, të ofruara me dashamirësinë dhe mirëkuptimin e aleatëve dhe partnerëve në dëshminë e fundit të Escobar. Është koha e fundit që Kurti të largohet nga temat tensionuese dhe destruktive, ku vegjetojnë liderët pro-rus, sikurse janë dhe do të vazhdojnë të mbesin Dodik dhe Vuçiq”, ka shkruar ai.
Haradinaj ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po inkurajojnë Kosovën t’u qëndrojë zotimeve, të hapë rrugë për afirmim ndërkombëtar, për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, për fushatë globale të njohjes, për avancim në integrim evropian dhe për zhvillim social e ekonomik dhe për vendosmëri në proces të rrugëtimit drejt NATO-s dhe BE-së.
“Kosova e ka për detyrim ta bëjë pjesën e saj, dhe ta përqafojë mbështetjen e parezervë të ShBA-ve dhe aleatëve, në mbylljen e plasaritjeve dhe shtigjeve të ndërhyrjeve nga Rusia dhe Kina në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kurti mund të ketë ritmin dhe orën e tij, por Kosova nuk ka kohë për të humbur, veçmas kur porositë dhe pritjet e aleatit tonë janë të qarta dhe të drejtpërdrejta. Koha është tash”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.