Hajni ia vjedh veturën para shtëpisë 25-vjeçarit në Fushë Kosovë, e përcolli derisa u fut brenda

Cak i hajnave shumë herë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë veturat, të cilat qytetarët nuk po kanë siguri t’i lënë askund.

Automjete të ndryshme po vidhen qoftë në parkingje apo hapësira tjera publike, e madje edhe nga oborret e shtëpive, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë i vjedhjes është raportuar të ketë ndodhur edhe gjatë ditës së djeshme në Fushë Kosovë, për çka Policia tashmë ka arrestuar një person i dyshuar.

Sinjali mëson se rastin në Polici e ka denoncuar një 25-vjeçar, i cili ka deklaruar se një person ia ka vjedhur veturën, të cilën e parkoi dje në rrugën “Metush Krasniqi” e më pas hyri në shtëpinë e tij për të marrë diçka.

Gjatë kësaj kohe, i dyshuari 41-vjeçar e ka shfrytëzuar rastin teksa i riu ndodhej në shtëpi, duke ia marrë veturën dhe u largua në drejtim të panjohur.

Pasi nuk e gjeti veturën ku e parkoi, 25-vjeçari ka vendosur të kërkojë ndihmën e Policisë, duke e denoncuar rastin, me shpresën që do ta gjejnë automjetin e tij.

Si rezultat i denoncimit, Policia ka arritur ta gjejë veturën, në afërsi të shtëpisë së të dyshuarit, i cili po ashtu u kap dhe u shoqërua në stacion policor.

Lidhur me rastin, është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, me urdhër të së cilit është iniciuar rasti “vjedhje e rëndë” ndaj të dyshuarit.

Lexo edhe:  Kosovari në Zvicër kapet me kolegun e tij në “baushtellë”, tenton ta godas me vinç