Hajnat thyejnë biznesin “Ballkan Petrol” në Graçanicë, grabisin mbi 16 mijë euro

Grabitjet dhe vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi janë bërë një fenomen tejet shqetësues për qytetarët e Kosovës që po shkaktojnë ankth e pasiguri të madhe. Raste të tilla po raportohen pothuajse çdo ditë në Policinë e Kosovës nga familjet që po mbesin ‘qyl’. Por përveç shtëpive po thyen edhe bizneset.

Kështu sot në orët e hershme të mëngjesit ka ndodhur një vjedhje e rëndë në biznesin “Ballkan Petrol” në fshatin Suhodoll të Graçanicës.

Sipas informatave të para, hajnat kanë depërtuar me dhunë në zyrat dhe restorantin e këtij biznesi, duke marrë një shumë të konsiderueshme parash prej 16,500 euroshnga arka dhe kuletat e kamarierëve.

Pamjet e sigurisë kanë kapur momentin kur dy persona të maskuar hyjnë në objekt dhe largohen pas kryerjes së grabitjes.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësia e hetimeve, njësia e forenzikës nga Stacioni Policor në Graçanicë dhe hetuesit rajonalë nga DRP.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar si “Vjedhje e rëndë”.

Autoritetet ende nuk kanë identifikuar të dyshuarit, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë.

Lexo edhe:  Momenti kur dorasi Granit Plava futet në restorantin ku u shtrua “darka me helm” për Liridona Ademajn