Hajnat hyjnë në QMF-në e Gllarevës në Klinë, stafi i QKMF-së i thonë infermieres ‘mos ta bëjë të madhe’

Një ndër problemet me të cilat po përballen qytetarët e Kosovës janë edhe vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi e banesa private, biznese e institucione të ndryshme në vend. Hajnat me veprimet e tyre po shkaktojnë humbje të mëdha dhe pasiguri.

Cak i vjedhjes ishte edhe Qendra e Mjekësisë Familjare në fshatin Gllarevë të Klinës, ku persona të panjohur kanë hyrë brenda objektit të këtij institucioni shëndetësor dhe kanë vjedhur pajisje mjekësore dhe ampula të ndryshme.

Sinjali mëson se ngjarja dyshohet se ka ndodhur në fillim të muajit dhe mungesa e mjeteve që u vodhën, vlera e të cilave nuk dihet ende, u vërejt nga një infermiere e QMF-së. E njëjta ka njoftuar stafin e QKMF-së në Klinë, por ata kishin kërkuar nga ajo që mos ta denoncojë rastin, në mënyrë që mos të bëhet e madhe.

Infermierja ka vërejtur diçka të pazakontë edhe mëngjesin e së mërkurës kur me të arritur në punë kishte parë që dera e hyrjes është dëmtuar. Duke pasur parasysh vjedhjen e disa ditëve më parë, ajo vendosi që rastin ta denoncojë në Polici.

Bazuar në dëshminë e saj, bëhet e ditur se stafi mjekësor janë dakorduar që çelësat e hyrjes t’i lënë në një vend të caktuar të objektit të QMF-së dhe këtu lindin dyshimet se dikush mund t’i ketë gjetur ata kur ka kryer vjedhjen.

Momentalisht nuk ka persona të dyshuar, mirëpo janë marrë veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.

Lexo edhe:  Personi që e kishte sulmuar policinë në Bistricë muajin e kaluar, bashkëpronar i laboratorit të drogës