Hajnat e bëjnë qyl shtëpinë e pronarit të Spitalit “Lindja”, vjedhin rreth 48 mijë euro

Hajnat në Kosovë përveç shtëpive e lokaleve të ndryshme që i kanë cak për t’i bërë qyl, shpesh ia kanë mësyrë edhe spitaleve, qoftë private apo edhe publike, me qëllimin për të kapur sado pak gjësende me vlerë. Të tilla raste janë shpeshtuar dhe kjo ka ngritur shqetësim për shkak të pasigurisë, por edhe humbjeve që po shkaktohen, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është raportuar të ketë ndodhur së fundmi në Veternik, por këtë herë vjedhja u krye në shtëpinë e pronarit të Spitalit “Lindja”, Dërgut Aliut.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se në shtëpinë e gjinekologut Aliu, ku të dyshuarit arritën të “avullojnë” një sef, në të cilin kishte hiç më pak se rreth 48 mijë euro, para të gatshme në valuta të ndryshme.

Burimet brenda Prokuroria kanë bërë me dije se rasti është raportuar nga vet doktori Aliu, i cili ka njoftuar Policinë se vjedhja dyshohet se është kryer gjatë kohës kur askush nuk ka qenë në shtëpi.

Të dyshuarit sipas informacioneve të para kanë arritur të largohen me këtë shumë të majme parash, por edhe me stolitë që i vodhën.

Me t’u denoncuar rasti, njësitet përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes, për t’i bërë ekzaminimet e nevojshme, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”.

Lexo edhe:  Majori amerikan me ushtarë të tjerë shkuan sot në xhami të Prishtinës