Hajnat e bëjnë qyl banesën e familjes Mustafa në Prishtinë, vjedhin gjysmë kg stoli ari dhe 7 mijë euro

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje.

Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë në banesën e familjes Mustafa në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Prishtinë, ku hajnat kanë vjedhur para e gjësende në vlerë prej mijëra euro, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se vjedhja ka ndodhur gjatë ditës së djeshme dhe është denoncuar nga pronarja e shtëpisë, e cila ka raportuar se hajnat kanë vjedhur hiç më pak se gjysmë kilogrami stoli ari, si dhe para të gatshme në vlerë të rreth 7 mijë eurove.

Sinjali mëson se bazuar në dëshminë e saj, të dhënë para hetuesve, hajnat kanë “avulluar” edhe një armë zjarri, që e gjetën në shtëpi dhe i takon të birit të saj.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe në identifikimin e personave të dyshuar.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.

Lexo edhe:  E rëndë: 87-vjeçari në Gjilan dyshohet se i dha fund jetës së tij