Hajnat bëjnë kërdi në një shtëpi në Llap, vjedhin paratë dhe stolitë e arit në vlerë të 7 mijë eurove

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë në një shtëpi në fshatin Dumnicë e Poshtme në Podujevë, ku hajnat kanë vjedhur para e gjësende në vlerë prej mijëra eurosh.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se vjedhja ka ndodhur gjatë ditës së djeshme dhe është denoncuar nga pronari i shtëpisë, i cili ka raportuar se hajnat kanë vjedhur para dhe të gjitha stolitë e artit që kanë gjetur dhe që kapin vlerën e rreth 7 mijë eurove.

Sinjali mëson se bazuar në dëshminë e tij, të dhënë para hetuesve, të dyshuarit kanë depërtuar brenda shtëpisë me forcë, duke thyer dritaret.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe në identifikimin e personave të dyshuar.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.

Lexo edhe:  Murati thërret konferencë për media, s’dihet arsyeja