Gruaja rrah burrin, ai kërkon ndihmë në Policinë e Kosovës
Rastet e dhunës në familje janë të shpeshta në vendin tonë, por rrallë ndodh që viktima të jenë burrat.
Por ndryshe ka ndodhur së fundmi në një familje në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë, ku një 42-vjeçar ka kërkuar ndihmën e Policisë pasi dyshohet se është sulmuar nga gruaja, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bazuar në dëshminë e burrit, rasti ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, kur e dyshuara, gruaja e tij 39-vjeçare e ka rrahur atë, duke i shkaktuar lëndime trupore, pas një mosmarrëveshje që patën mes vete.
Sinjali mëson se motivi i rastit dyshohet të jetë një zënkë momentale që eskaloi deri në atë pikë sa gruaja iu vërsul burrit duke e sulmuar. Përballë kësaj situate, viktima ka vendosur ta njoftojë Policinë për dhunën që ka përjetuar.
Si rezultat i raportimit të rastit, e dyshuara është shoqëruar në stacion për intervistim, ku ka mohuar të ketë ushtruar dhunë ndaj bashkëshortit të saj.
Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit ndaj saj kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.