Gruaja nga Graçanica akuzon burrin për dhunë fizike dhe ofendime përmes telefonit të vajzës së tyre

Një tjetër rast i dhunës në familje është regjistruar në Graçanicë, ku viktima ka denoncuar bashkëshortin e saj për sjellje të dhunshme fizike dhe psikologjike.

Sinjali mëson se më datë 14 qershor 2025, rreth orës 19:30, në Stacionin Policor në Graçanicë është paraqitur një grua me inicialet M.A., 31 vjeçare, e cila ka raportuar se është viktimë e dhunës në familje nga bashkëshorti i saj, N.A., 34 vjeçar.

Ajo ka deklaruar se dhuna fizike kishte ndodhur para rreth 15-20 ditësh, por nuk e kishte raportuar menjëherë. Rasti u paraqit në polici pasi ajo dyshon se burri i saj, duke përdorur telefonin e vajzës së mitur, i kishte dërguar mesazhe ofenduese dhe kërcënuese.

I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor, ku është marrë në pyetje dhe ka mohuar se ka kërcënuar apo ofenduar bashkëshorten përmes mesazheve. Megjithatë, ai ka pranuar se kishte pasur një përplasje fizike me të, gjatë së cilës e kishte goditur njëherë në këmbë.

Njësia për Hetime të Dhunës në Familje është përfshirë në rast dhe ka kontaktuar prokurorin kujdestar, i cili ka urdhëruar inicimin e procedurës penale për veprën “Dhuna në Familje”. Rasti do të ndiqet në procedurë të rregullt.

Lexo edhe:  Situata alarmante në Prevallë, komuna: Terren i rrezikshëm, zjarrfikësve mund t’ju kushtojë me jetë