Gruaja në Rahovec viktimë e dhunës sistematike në familje, 34-vjeçari përfundon në pranga

Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, shpesh janë vlerësuar si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje. Gratë, si viktimat më të shpeshta frikësohen t’i denoncojnë bashkëshortët, çka i shtynë ata që ta përsërisin veprën e njëjtë.

Ndihmën e Policisë e ka kërkuar dje një grua në fshatin Xërxë të Rahovecit, pasi e njëjta dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme është dhunuar psiqikisht dhe fizikisht nga bashkëshorti i saj.

Burimet e Sinjalit kanë zbardhur detaje nga dëshmia e 28-vjeçares, e cila ka deklaruar se bashkëshorti i saj e ka sulmuar fizikisht, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Viktima ka marrë ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor si i dyshuar për veprën penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  E tmerrshme: Gazetarja kosovare qëllohet me gurë në kokë dhe gjuhet me shok-bombë nga protestuesit serbë