Gruaja në Pejë nervozohet me fqinjin që parkoi veturën në parkingun e përbashkët, ia gjuan vazon me lule nga lart

Qytetarët të cilët banojnë në ndërtesa kolektive, shpeshherë hasin në telashe me fqinjët e tyre. Motivet që çojnë në mosmarrëveshje mund të jenë të ndryshme, por në shumë raste situata eskalon në ofendime, kërcënime e konfrontime fizike.

Një sherr ka ndodhur edhe mes dy fqinjëve në rrugën ‘Myrvete Maksutaj’ në Pejë.

Sinjali mëson se parkingu i përbashkët u bë mollë sherri mes të dyshuarës dhe viktimës, pasi ky i fundit parkoi veturën në hapësirën në fjalë.

49-vjeçarja dyshohet se e nervozuar për këtë dhe me qëllim që ta pengojë, ka hedhur një vazo me lule nga dritarja e banesës së saj.

Për fatin e mirë të 31-vjeçarit, vazoja nuk e ka goditur dhe i njëjti ka shpëtuar pa lëndime trupore. Ai ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka rrëfyer në detaje gjithë ngjarjen.

E dyshuara është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që 49-vjeçarja të dërgohet në mbajtje dhe e njëjta do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.

Lexo edhe:  “Unë isha në Kosovë, po nanës i thoja që jam në Zvicër”, si e takoi Limaj nënën e djalin e tij i maskuar, pa guxuar të flas