Grabitje si në filma në zemër të Prishtinës – Tre persona të maskuar marrin peng rojen dhe grabisin kasafortën e kompanisë
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në zemër të kryeqytetit, ku tre persona të maskuar dhe të veshur me të zeza, përfshirë jelekë reflektues, kanë realizuar një grabitje të organizuar në një pikë të kompanisë IPKO në Sheshin “Nëna Terezë”.
Burimet e Sinjalit brenda kompanisë së sigurimit bëjnë me dije se grabitësit fillimisht e kanë sulmuar dhe neutralizuar rojen e sigurisë, duke e marrë me dhunë nën kontroll, për t’u futur më pas në brendësi të lokalit përmes derës kryesore.
Sipas të njëjtave burime, të dyshuarit kanë qenë të armatosur dhe kanë vepruar me vendosmëri, duke marrë kasafortën e kompanisë ku dyshohet se ndodheshin para të gatshme, telefona të rinj dhe pajisje të tjera elektronike.
Rasti është denoncuar nga vet kompania në polici, ndërkaq hetimit të rastit i janë përgjigjur të gjitha njësitë kompetente, sipas burimeve të Sinjalit.
Në nga pistat që tashmë është duke u hetuar rezulton të jetë edhe përfshirja eventuale e punëtorëve të sigurimit apo stafit të brendshëm në grabitje.
Sipas informatave fillestare, ende nuk dihet vlera e saktë e dëmit, pasi duhet të bëhet kontrolli i plotë i inventarit dhe përmbajtjes së kasafortës.
Roja që u përball me grabitësit e ka përshkruar momentin si dramatik dhe të frikshëm, duke thënë se është detyruar të bashkëpunojë me ta pasi është kanosur dhe kërcënuar.