Grabitet 18-vjeçarja në Mitrovicë, hajni ia merr zinxhirët nga qafa dhe e rrëzon përtokë
Rastet e grabitjeve e të vjedhjeve po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që siguria për të lëvizur edhe në hapësirat publike po rrezikohet. Ndër rastet e shpeshta të grabitjeve janë gjësendet me vlerë, si stolitë e arit, telefonat e çantat e krahut që hajnat arrijnë t’i kapin nga qytetarët nëpër rrugë..
Me një rast të tillë është përballur një 18-vjeçare te parku i qytetit në Mitrovicë, pasi një person dyshohet se me anë të forcës ia ka marrë dy zinxhirët që i kishte të vendosur në qafë.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima përpos dëmit material, ka pësuar edhe lëndime trupore, për shkak se i dyshuari i cili s’është identifikuar ende, e ka rrëzuar përtokë.
Si pasojë e lëndimeve, ajo ka marrë ndihmë mjekësore, ndërkohë që ka dhënë dëshminë e saj lidhur me rastin.
Njësitë policore kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore që ndihmojnë në identifikimin e të dyshuarit dhe që çojnë në lokalizimin e vendndodhjes së tij.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Grabitje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.