Goditja e ‘Matkos Pharm’: Këta janë ‘kokat’ e kompanisë, drejtori ishte arrestuar për falsifikim para rreth dy vitesh

Kompania ‘Matkos Pharm’ është futur në listën e zezë të bizneseve, pas vendimit të fundit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, që i diskualifikoi nga pjesëmarrja për një tender dhe ua ndaloi pjesëmarrjën në aktivitetet e prokurimit publik për një vit.

Kjo kompani që udhëhiqet nga Kastriot Vitija dhe Liman Buzoku, ishte denoncuar nga Komuna e Prishtinës për prezantim të një dokumenti të falsifikuar. Historia e tyre me dyshime për falsifikime është goxha e pasur.

Por kush janë Kastriot Vitija dhe Liman Buzoku?

Buzoku, i cili është drejtor në këtë kompani, ishte arrestuar nga Krimet Ekonomike të Policisë në tetor të 2021, nën dyshimin se ka falsifikuar dokumentacionin kur kishte aplikuar për një tender në Komunën e Drenasit, më 5 maj të po atij viti.

Gazeta Sinjali ka raportuar atë kohë se ky nuk ishte rasti i vetëm në të cilin dyshohej se ka mashtruar Buzoku. Ai po ashtu dyshohet se ka manipuluar, duke falsifikuar dokumentacionin edhe në tenderë të Komunës së Suharekës, atë të Prizrenit dhe në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

Kurse Kastriot Vitija është pronar dhe aksionar i kësaj kompanie. Ai është vëllai i Labinot Vitijës, pronari i kompanisë “Matkos Group HCE Shtërpcë L.L.C” e njohur për prodhimin e energjisë, i cili sithe arrestuar në njërin nga aksionet ‘Brezovica’

Rasti i Matkos Pharm

Komuna e Prishtinës kishte gjetur se kjo kompani në tenderin për furnizim me pajisje mjekësore kishte paraqitur të dhëna të rreme e dokumente të falsifikuara.

Në shqyrtimin e këtij rasti, Kastriot Vitija e kishte mbrojtur kompaninë se dokumenti që po kontestohej nga komuna, që ishte një certifikatë, ishte e vërtetë.

Por OSHP i ka dhënë të drejtë komunës dhe ka marrë vendim kundër Matkos Pharm.

Lexo edhe:  Nuk keni vendosur ende për emrin e fëmijës, kjo është lista e emrave të ndaluar me ligj

Ky institucion i kishte dërguar shkresë kompanisë që kishte lëshuar certifikatën e kontestuar dhe më pas kishte marrë përgjigje se certifikata është e rreme.