Gjykata merr një vendim për Policin që dyshohet se plagoi tezakun e tij

Burime të Insajderit kanë bërë të ditur se Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj policit Fatjon Hoti, i cili ngarkohet me veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”.

Menjëherë pas këtij lajmi polici Hoti u suspendua nga detyra pasi që në natën e 15 korrikut, e kishte plagosur me armë zjarri tezakun e tij, Getoar Kamberaj.

Kamberaj është në gjendje të rëndë dhe po trajtohet në Klinikën e Pediatrisë.

 

 

Në dosjen e prokurorisë thuhet se pas analizimit të kallëzimit penal në fjalë dhe shkresave të bashkëngjitura, Prokuroria ka ardhur në përfundim se në veprimet e të pandehurit në fjalë formohen të gjitha elementet objektive dhe subjektive të veprës penale “Vrasje e rëndë” e mbetur në tentativë, pasi që ka të bëjë me viktimën e mitur të moshës 16-vjeçare.

Në kërkesë thuhet se sipas raportit të oficerit, të datës 16 korrik, rezulton se më 15 korrik rreth orës 23:35 kanë pranuar informatën se polici i gjeneratës së fundit Fatjon Hoti, me armë zjarri ka plagosur një person në shtëpinë e vet, e më pas policia kanë shkuar në vendngjarje dhe janë ndërmarrë veprimet.

Më tej, thuhet se sipas procesverbalit të marrjes në pyetje për dëshmitarin (i mitur) në Polici, ai në prezencë të përfaqësuesit ligjor ka deklaruar se “…unë e pashë armën e Fatjonit që e ka të punës duke e mbajt në dorë G,. Unë sa e kom pa G., asnjëherë nuk e ka raportirat por e ka nxjerrë karikatorin dhe ka fillu mi hek plumbat prej tij, plumbat G., i gjuajke në kauq, më duket se i ka hjek të gjitha plumbat prej karikatorit, pas kësaj e ka marrë Fatjoni armën dhe ka raportirat dhe e ka drejtu në drejtim të kokës së G., dhe kam dëgjuar që ka kërsit arma, unë nuk e kam dëgjuar asnjë fjalë që e ka dhënë Fatjoni”.

Lexo edhe:  Detaje nga vrasja në tentativë në Prishtinë/ Policia gjen 8 gëzhoja në vendngjarje, i dyshuari në arrati