Gjykata dënon me burg gjakovarin që u zhvesh para 3 vajzave të mitura
Gjykata Themelore në Gjakovë, ka njoftuar se për veprën penale “ngacmim seksual” ka dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim, të pandehurin me iniciale H.H..
Në njoftimin e kësaj Gjykate thuhet se gjyqtari, Sulltan Dobraj, pas mbajtës së shqyrtimit fillestar, ku i pandehuri e kishte pranuar fajësinë, e ka shpallur fajtor, duke i shqiptuar dënimin me burgim në kohëzgjatje prej një viti e gjysmë.
Sipas njoftimit i pandehuri H.H., me datë 8 mars 2023 rreth orës 15:00 minuta, në rrugën “Fan S. Noli” në Gjakovë, “… me dashje ngacmon seksualisht personat të cilat janë të ndjeshme për shkak të moshës së tyre, me qëllim të cenimit të dinjitetit të të dëmtuarave, fëmijëve .., .., .., (inicialet e emrave të viktimave, të redaktuara v.j.) në atë mënyrë që deri sa të dëmtuarat ishin duke ecur në këmbë, në një moment e shohin të pandehurin, i cili ishte i zhveshur dhe bën me gjeste duke ekspozuar organin gjenital në drejtim të dëmtuarave, të gjendur në këtë situatë të dëmtuarat ndërrojnë rrugën, por i pandehuri vishet dhe niset në drejtim të tyre dhe ju drejtohet me fjalën ‘përshëndetje’, më pas të dëmtuarat të frikësuara kërkojnë ndihmën e një kalimtari të rastit, ku me të parë kalimtarin e rastit i pandehuri largohet me vrap nga aty, ashtu që me këto veprime i pandehuri tek të dëmtuarat ka shkaktuar cenimin e dinjitetit dhe ka krijuar një mjedis frikësues”.
Në njoftim thuhet se kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.