Gjilan: 36-vjeçari ushtron dhunë ndaj nënës, ajo detyrohet të kërkojë ndihme në Polici
Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste ku gratë dhunohen në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe me anëtarët e tjerë të familjes. Në shumë raste, viktima janë edhe nënat, të cilat përjetojnë dhunë nga fëmijët e tyre.
Një rast i rëndë ka ndodhur së fundmi në një familje në Gjilan, ku një 36-vjeçar dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës.
Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur brenda shtëpisë ku ata jetojnë, e ku i dyshuari e ka kapur për fyti viktimën, duke i shkaktuar lëndime.
Përballë kësaj situate, gruaja e frikësuar ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku para hetuesve policorë ka rrëfyer detajet e rastit.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe më pas është dërguar në spitap për trajtim mjekësor.
Pas përfundimit të procedurave policore, ndaj tij është lëshuar urdhër për ndalim policor.