Gjilan: 36-vjeçari mbahet me zor dhe rrahet në një lokal, sigurohen pamjet dhe arrestohen të dyshuarit

Denoncimi i një rasti të rrëmbimit në Gjilan ka aktivizuar Policinë për të zbuluar rrethanat në të cilat dyshohet se ishte rrahur dhe privuar kundërligjshëm nga liria një person.

Detajet e rastit u zbuluan pasi viktima u paraqit në stacion policor, teksa tashmë është iniciuar hetim dhe janë prangosur dy persona.

Siç merr vesh Sinjali, bëhet fjalë për një 36-vjeçar, i cili dyshohet se është mbajtur me zor në një lokal në lagjen Dardania në Gjilan, nga dy persona.

Në bazë të informacioneve të para, dy të dyshuarit edhe e kanë rrahur viktimën, për motive akoma të panjohura dhe më pas dyshohet se e kanë lënë të lirë.

Posa Policia është njoftuar për rastin, janë ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe dy personat e përfshirë janë identifikuar, ndërsa janë siguruar edhe pamje të kamerave të sigurisë.

Si rezultat, të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar nga hetuesit.

Lidhur me rastin, është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e hetimit dhe ndalimin e të dyshuarve për 48 orë

Lexo edhe:  Ekzekutohet shqiptari në Itali, 78-vjeçari e vret pasi mëson se kishte një lidhje me gruan e tij