Gjendet personi i zhdukur në Kllokot – lokalizohet në një zonë pyjore afër kufirit me Serbinë
Rastet e zhdukjeve të personave vazhdojnë të jenë shqetësim serioz për familjarët dhe institucionet, por në disa raste, përfundimi është me fat. Një i tillë është rasti i fundit në komunën e Kllokotit, ku pas një angazhimi intensiv është lokalizuar personi i raportuar si i zhdukur.
Policia bëri të ditur se sot (13 maj), është gjetur personi që ishte raportuar i zhdukur një ditë më parë, më 12 maj 2025. Ai është lokalizuar në orët e pasdites në një zonë pyjore në fshatin Kokaj, afër vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, tha se pas gjetjes, ai është trajtuar nga ekipet mjekësore dhe gjendja e tij shëndetësore është vlerësuar si stabile dhe e mirë.
Ai tutje ka bërë të ditur se në kërkimin dhe lokalizimin e personit kanë qenë të angazhuara njësitë policore rajonale në bashkëpunim me pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Sot me datën 13.05.2025 si rezultat i angazhimit intensiv dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional të Njësive Policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan dhe pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, është lokalizuar dhe gjetur personi i raportuar si i zhdukur më 12.05.2025 në komunën e Kllokotit. Personi është gjetur sot në orët e pasditës në një zonë pyjore afër vijës kufitare Kosovë-Sërbi në fshatin Kokaj dhe menjëherë pas gjetjes, ai është trajtuar nga ekipet mjekësore dhe sipas vlerësimeve gjendja e tij shëndetësore është stabile dhe e mirë. Policia e Kosovës falënderon të gjitha njësitë e angazhuara dhe qytetarët që ofruan informacione të vlefshme për gjetjen e personit të zhdukur.”, tha ai.