Gjendet pa shenja jete një burrë në Mitrovicë, familjarët dyshojnë se piu medikamente
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot rreth orës 15:00 në qytetin e Mitrovicës, ku një burrë është gjetur pa shenja jete.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Spitalit të Mitrovicës kanë bërë me dije se kanë pranuar thirrje për ndihmë nga një grua e cila ka thënë se personi me të cilin bashkëjeton është pa ndjenja dhe dyshohet se është në rrezik për jetën.
Ekipi mjekësor i Emergjencës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku në një banesë në rrugën ‘Shemsi Ahmeti’ kanë gjetur të ndjerin pa ndjenja. Pas ekzaminimit për shenjat vitale, mjeku kujdestar ka konstatuar se viktima ka ndërruar jetë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë policore të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit. Në kuadër të veprimeve hetimore ata kanë intervistuar familjarët e të ndjerit të cilët kanë deklaruar se dyshojnë që familjari i tyre ka konsumuar medikamente.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.