Gjendet në Prishtinë e mitura nga Gjilani – Qëndronte në Albi Mall, është në gjendje të mirë shëndetësore

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen të zhdukur. Shumë shpesh angazhohen edhe njësi e grupe vullnetare që të zbulojnë gjurmët e personave që nuk dihet asgjë për fatin e tyre.

Lidhur me një rast të tillë, Gazeta Sinjali mëson se ka përfunduar me sukses kërkimi për vajzën e mitur B.M., rreth 15 vjeçare nga Gjilani, e cila ishte raportuar si e humbur më 12 maj 2025 nga F.M, familjar i saj.

Pas marrjes së rastit në trajtim, NJHP në Gjilan ka nisur grumbullimin e informatave për vendndodhjen e të miturës. Ndërkohë, hetuesit nga Stacioni Policor Jugu në Prishtinë, gjatë kontrollit të kamerave të sigurisë në qendrën tregtare “Albi Mall”, kanë arritur ta identifikojnë të miturën në hapësirat e brendshme të objektit.

Rreth orës 14:00, vajza është lokalizuar dhe shoqëruar në stacionin policor, ku i është ofruar ndihmë mjekësore dhe është intervistuar në prani të mbrojtësve të viktimave dhe punëtorit social.

Gjatë deklarimit, e mitura ka sqaruar se gjatë mungesës nuk është keqtrajtuar në asnjë formë dhe se është në gjendje të mirë shëndetësore.

Hetimet janë duke vazhduar për të verifikuar me kë ka qenë në shoqëri gjatë mungesës, ndërsa nesër, në konsultim me Prokuroren e Shtetit, do të ndërmerren veprimet hetimore për të kuptuar nëse ka pasur ndonjë formë të keqtrajtimit, përfshirë edhe dyshime për keqpërdorim seksual.

Lexo edhe:  Ky është zyrtari i SHKK-së i arrestuar për ryshfet, kërkoi 2,500 euro për falje të dënimit