Gjendet 13-vjeçarja që u raportua e rrëmbyer në Drenas – Gjendet në veturë me një 23 vjeçar

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen të zhdukur. Shumë shpesh angazhohen edhe njësi e grupe vullnetare që të zbulojnë gjurmët e personave që nuk dihet asgjë për fatin e tyre.

Kështu, Gazeta Sinjali mëson detaje të reja lidhur me rastin që u raportua si rrëmbim i një vajze 13-vjeçare në komunën e Drenasit, ngjarje që alarmoi familjarët dhe mobilizoi Policinë.

Sipas burimeve të Sinjalit, më 05 gusht 2025, hetuesit nga Njësia e Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë janë angazhuar për zbardhjen e rastit të iniciuar një natë më parë si “Rrëmbim”.

Pas veprimeve hetimore dhe analizës së dëshmive, autoritetet kanë identifikuar veturën e dyshuar të tipit VW Touran, me të cilën dyshohej se ishte marrë e mitura.

Rreth orës 11:00, kjo veturë është lokalizuar dhe ndaluar në fshatin Baicë të Lipjanit. Brenda saj ndodheshin Argjend Gashi, rreth 23-vjeçar, i dyshuari dhe D.S., rreth 13-vjeçare, viktima e raportuar si e rrëmbyer.

Të dy janë shoqëruar në Stacionin Policor në Gllogoc, ku janë intervistuar. I dyshuari në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa e mitura nën përkujdesjen e Qendrës për Punë Sociale.

Burimet bëjnë të ditur se, me vendim të Prokurorit për të Mitur, është urdhëruar që i dyshuari të lirohet në procedurë të rregullt, teksa rasti vazhdon të trajtohet në aspektin penal dhe social.

Lexo edhe:  Vdes në QKUK gruaja që u aksidentua para dy javësh në Fushë Kosovë