Gjenden pa jetë babë e bir, të zhdukur pas përmbytjeve në Malësinë e Madhe

Janë gjendur të pajetë pas 16 orë kërkimesh trupat e dy personave, babë e bir, të cilët u zhdukën pasi i mori rrjedha e ujit në vendin e njohur si “Grykë Lugje” në Malësinë e Madhe.

Me punën intensive të grupit të polumbarëve pranë forcave RENEA si edhe grupit të evakuim-shpëtimit dhe grupit alpin të FNSH Shkodër, është bërë e mundur gjetja e trupave, në gjatësinë e përroit, në zonën e Bogës.

Në bazë të shpjegimit të ngjarjes, rrjedha e ujit ka marrë përpara automjetin që drejtohej nga shtetasi P.R., rreth 50 vjeç.

Në çastin e ndodhisë, kanë qenë të pranishëm tre persona në veturë: Babai, djali dhe vajza.

Kjo e fundit, ka arritur të shpëtojë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Kritike shihet situata në gjithë zonën e Shkodrës, ku faktor për këtë gjë janë bërë edhe prurjet e shumta në lumin drin, të cilat kanë mbingopur hidrocentralin e Vaut të Dejës dhe momentalisht, 30% e prurjeje po shkrakohen.

Në ndihmë të banorëve, për çdo emergjencë të mundshme, janë në gatishmëri edhe 100 efektivë të Ushtrisë shqiptare nga Forcat Tokësore dhe Baza e Mbështetjes për Emergjencat Civile.

Siç ka bërë me dije ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, mjete të larta, mjete lundrimi dhe pajisje të posaçme po i shtohen në ndihmë ekipit të efektivëve në Shkodër për të bërë të mundur reagimin sa më të shpejtë ndaj çdo fatkeqësie.

Një ulje e mundshme e intensitetit të reshjeve pritet të ndodhë që prej mesditës së sotme, duke sjellë kështu edhe normalizim të situatës.

Gjithsesi, fluksi i prurjeje parashikohet të vijojë përgjatë gjithë javës.

Lexo edhe:  LVV nuk e mbështet sërish Trustin