Gjakovë: Gruaja e denoncon burrin për dhunë të vazhdueshme, 44-vjeçari dërgohet në mbajtje

Rastet e dhunës në familje janë vazhdimisht në rritje, pasi që çdo ditë në të gjitha rajonet e Kosovës denoncohen dhjetëra raste të dhunës, ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat të cilat dhunohen në forma të ndryshme kryesisht nga bashkëshortët, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes.

Në Polici kanë përfunduar mbrëmë edhe një çift nga Gjakova, pasi gruaja ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë psikike në mënyrë sistematike.

Sinjali mëson se 47-vjeçarja ka dhënë dëshminë e saj, ku ka rrëfyer për dhunën e vazhdueshme nga burri i saj, i cili edhe e ka kërcënuar, duke i shkaktuar shqetësim e frikë në vazhdimësi.

Përballë kësaj situate, djali i viktimës ka ndërhyrë që ta shpëtojë nënën dhe më pas e kanë njoftuar Policinë.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë arrestuar të dyshuarin, i cili është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga hetuesit lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje dhe ndaj tij është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’.

 

Lexo edhe:  Mërgimtari nga Mitrovica në hall me çfarë të ngrohet në Gjermani: Metri i druve kushton 239 euro