Gjakovë: Djali i kërkon para dhe ushtron presion ndaj nënës, ajo detyrohet të kërkojë ndihmën e Policisë

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.

Policia dje ka intervenuar edhe në një familje në rrugën ‘Ali Ibra’ në Gjakovë, pasi një person dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj nënës së tij.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se 48-vjeçarja ka raportuar se i biri fillimisht i kishte kërkuar para e më pas ka ushtruar presion ndaj saj, duke i shkaktuar frikë e shqetësim të madh.

Përballë kësaj situate, viktima vendosi ta denoncojë rastin në Polici, ku ka dhënë deklaratën e saj lidhur me atë që ka ndoddhur.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Apel për ndihmë urgjente: Nina e vogël ka nevojë për ndihmë- do të dërgohet për shërim